Një spektakël fishekzjarresh ndriçoi qiellin në vigjiljen e festës së Zojës së Shkodrës. Qindra qytetarë dhe besimtarë u mblodhën në sheshin përpara Katedrales “Shën Shtjefni”, ku ndoqën me interes shfaqjen e fishekzjarreve, që i dha një atmosferë të veçantë festive mbrëmjes.
Spektakli i fishekzjarreve u organizua pas përfundimit të meshës së shenjtë, e cila kishte mbushur katedralen me qindra besimtarë katolikë.
Mesha u udhëhoq nga Dom Mikel Pllumaj, për herë të parë në këtë festë që nga marrja e detyrës si famullitar i Shkodrës. Në mesazhin e tij drejtuar të pranishmëve, ai u ndal te rëndësia shpirtërore dhe simbolika e Zojës së Shkodrës, duke e lidhur mesazhin fetar edhe me zhvillimet dhe situatën e ditëve të fundit në vend.
Festa e Zojës së Shkodrës mbetet një nga kremtimet më të rëndësishme për komunitetin katolik shkodran, duke bashkuar çdo vit besimtarë të shumtë në lutje dhe festime.
