Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga ambientet e zyrës së Kolegjit të Europës në Tiranë, e cila u dëmtua rëndë gjatë protestës së një dite më parë. Rama e cilësoi këtë ambient si simbol të ngjarjeve që shoqëruan tubimin, ndërsa drejtoi akuza ndaj opozitës.
Sipas kryeministrit, veprimet e dhunshme synojnë të pengojnë rrugëtimin europian të Shqipërisë. Ai theksoi se vendi nuk do të kthehet pas, pavarësisht situatës së krijuar.
“Këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë që përpiqet të shkojë lart”, u shpreh Rama, duke akuzuar opozitën për ngjarjet e ndodhura gjatë protestës.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se personat përgjegjës për shkatërrimet do të përballen me pasojat ligjore.
Në përfundim të reagimit, Rama theksoi se e ardhmja e Shqipërisë u përket studentëve dhe të rinjve, duke përsëritur angazhimin për vazhdimin e rrugës drejt integrimit europian.
