Mungesa e interesit të të rinjve për disa drejtime të arsimit profesional po krijon një situatë paradoksale në Shkodër. Në shkollën profesionale “Arben Broci”, dega e ndërtimit nuk funksionon prej dy vitesh për shkak të mungesës së regjistrimeve, ndonëse tregu i punës ka nevojë për profesionistë të kësaj fushe.

Por ndërtimi nuk është i vetmi drejtim që përballet me mungesën e interesit. Një situatë e ngjashme është evidentuar edhe në drejtimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, TIK. Në një kohë kur teknologjia është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme dhe zhvillimit të shoqërisë, interesi i nxënësve për t’u formuar profesionalisht në këtë fushë mbetet i ulët.

Këto dy raste nxjerrin në pah sfidat e arsimit profesional në orientimin e të rinjve drejt profesioneve. Ndërsa tregu i punës po ndryshon dhe kërkon aftësi të specializuara, mbetet sfidë nxitja e interesit të nxënësve për drejtime që mund t’u krijojnë mundësi punësimi në të ardhmen.