Marrëdhënia mes letërsisë dhe propagandës gjatë regjimit komunist në Shqipëri është sjellë në vëmendje përmes një ekspozite historike të hapur në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Me titull “Letërsi, propagandë dhe shkrimtarët amerikano-latinë, 1945–1991”, ekspozita paraqet botime, dokumente dhe materiale arkivore që dëshmojnë praninë e autorëve të Amerikës Latine në Shqipërinë e asaj periudhe.

Përgjegjësi i muzeut, Pjerin Mirdita, u ndal te mënyra se si pushteti komunist shfrytëzonte figura të njohura të letërsisë ndërkombëtare për qëllime propagandistike, duke i përshtatur ato me interesat ideologjike të kohës.

Ekspozita është ndarë në dy cikle. I pari përfshin 14 postera të realizuar mbi bazën e dokumenteve të Arkivit Qendror të Shtetit dhe Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Përgatitja e këtij materiali ka kërkuar një punë të gjatë kërkimore për të pasqyruar marrëdhëniet kulturore dhe ndikimin e politikës në përhapjen e letërsisë amerikano-latine.

Ndërkohë, cikli i dytë përqendrohet te botimet e autorëve të njohur, mes tyre Pablo Neruda dhe shkrimtarë të tjerë, veprat e të cilëve u përkthyen dhe qarkulluan në Shqipëri gjatë regjimit komunist. Kuratori Xherardo Nikjari shpjegon përmbajtjen dhe rëndësinë e këtij koleksioni.

Librat e ekspozuar janë pjesë e fondit të Bibliotekës Publike “Marin Barleti” dhe Bibliotekës Shkencore të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, dy institucione që kanë bashkëpunuar për realizimin e kësaj veprimtarie.

Përmes dokumenteve dhe botimeve origjinale, ekspozita sjell një këndvështrim mbi mënyrën se si letërsia e huaj u përzgjodh, u përkthye dhe u përdor në funksion të politikave ideologjike të Shqipërisë komuniste.