Vllaznisë së artë të vitit 1972, asaj skuadre që fitoi në të njëjtin sezon kampionatin dhe Kupën, iu shua një tjetër prej protagonistëve të saj. Ish-sulmuesi i kuqebluve, Partizanit dhe Kombëtares shqiptare, Ismet Hoxha, u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare pas një sulmi në zemër.
Në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”, ish-shokë skuadre dhe bashkëkohës të tij rikthyen kujtimet për futbollistin dhe njeriun me të cilin ndanë një prej periudhave më të rëndësishme të futbollit shkodran. Me Vllazninë, Ismet Hoxha ishte pjesë e brezit që shkroi historinë e klubit në fillim të viteve ’70. Karriera e tij e çoi më pas edhe te Partizani dhe Kombëtarja shqiptare.
Pikërisht nga vitet e tij në kryeqytet vijnë edhe kujtimet e ish-futbollistit të Partizanit, Astrit Ziu. Nderime për Ismet Hoxhën bënë edhe përfaqësues të Bashkisë Shkodër dhe drejtues të KF Vllaznia.
Pas përfundimit të karrierës në fushë, Hoxha vijoi të kontribuonte për Vllazninë edhe me ekipet e moshave dhe në role drejtuese. Largimi i tij shënon kështu jo vetëm humbjen e një ish-futbollisti, por edhe të një tjetër protagonisti të brezit që ndërtoi një prej periudhave më të lavdishme të historisë së Vllaznisë.
