Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit.
Gjatë një jave, si rezultat i monitorimeve, janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 13 të tjerë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Në të njëjtën periudhë janë vendosur 916 masa administrative. Numrin më të lartë e zënë gjobat për parkim ose qëndrim të gabuar, me 357 raste, ndërsa 172 drejtues janë ndëshkuar për tejkalim të shpejtësisë. Po ashtu, janë vendosur 60 masa për mosvendosjen e kaskës, 31 për parakalime të gabuara, 19 për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 8 për drejtim nën ndikimin e alkoolit.
Policia njofton se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale, ndërsa apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
