Shqipëria e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën në Ligën e Kombeve, duke mposhtur 2-0 Bjellorusinë në “Air Albania”.

Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje të kontrolluar dhe siguruan tri pikët falë golave të Kristjan Asllanit dhe Ernest Muçit. Asllani zhbllokoi rezultatin në minutën e 34-t nga pika e bardhë, pas një penalltie të konfirmuar nga VAR.

Në fundin e pjesës së parë, Shqipëria goditi sërish. Ernest Muçi shfrytëzoi asistin e Elseid Hysajt dhe realizoi golin e dytë, duke i dhënë skuadrës kuqezi një avantazh të rëndësishëm para pushimit.

Edhe në pjesën e dytë Shqipëria ishte më kërkuese dhe krijoi disa mundësi për të thelluar rezultatin. Rey Manaj iu afrua golit të tretë, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Në minutat e fundit, kuqezinjtë administruan pa probleme avantazhin dhe siguruan fitoren e parë në grup. Me tri pikët e marra, Shqipëria kryeson së bashku me Finlandën, e cila fitoi 7-0 ndaj San Marinos.