Në Shkodër ka nisur kremtimi i Festës së Vërragëve të Shën Françeskut, e cila do të zgjasë për tre ditë. Kremtimet këtë vit marrin një domethënie të veçantë në kuadër të Vitit Jubilar Françeskan të 800-vjetorit të vdekjes së Shën Françeskut të Asizit.
Në Shkodër, kjo festë është e veçantë posaçërisht për Motrat Stigmatine, të cilat mbajnë emrin e vërragëve, apo stigmave të shenjta të Shën Françeskut. Për rëndësinë e festës dhe aktivitetet e parashikuara ndan detajet përgjegjësja e Motrave Stigmatine në Shqipëri, Terezina Demaj.
Pjesë e ditës së parë ishte edhe materiali artistik “Njerëz ejani”, një realizim i disa viteve më parë i regjisorit Zef Ndoja me të rinjtë, i cili iu prezantua publikut në ekran, në formën e një filmi, në Teatrin Françeskan “Illyricum” në Gjuhadol.
Kremtimi i Festës së Vërragëve të Shën Françeskut do të vijojë për tre ditë, duke ndërthurur dimensionin shpirtëror me aktivitetet kulturore kushtuar figurës dhe trashëgimisë françeskane.
