Nostalgjia e riktheu sërish mësuesen e matematikës, Habibe Burrja, në gjimnazin “Jordan Misja”. Viti i ri shkollor nisi në mënyrë të veçantë për këtë shkollë të Shkodrës, ku përmes një ceremonie simbolike u nderua një prej mësueseve që ka lënë gjurmë ndër vite.
Habibe Burrja ka punuar në këtë gjimnaz nga viti 1971 deri në vitin 2003. Rikthimi në mjediset ku kaloi më shumë se tre dekada të jetës profesionale i solli shumë kujtime. Ajo e mban mend ende ditën kur nisi punën në “Jordan Misja” dhe flet me respekt për ish-drejtuesit e saj, të cilët sot nuk jetojnë më.
Për të, përkushtimi ndaj nxënësve dhe përgjegjësia e mësuesit ishin parime që nuk diskutoheshin. “Ora e mësimit ishte e shenjtë”, shprehet ajo, ndërsa kujton vitet përpara dërrasës së zezë dhe brezat e shumtë të nxënësve që kanë kaluar në klasën e saj.
Pas daljes në pension, përditshmëria e saj ka marrë një tjetër ritëm, por lidhja me dijen nuk është ndërprerë. Librat vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e ditës së saj, ndërsa çdo mëngjes gjen kohë për të lexuar.
E rikthyer këtë herë jo për të dhënë mësim, por për të parë një brez të ri që nis rrugëtimin në “Jordan Misja”, Habibe Burrja ka edhe një këshillë për nxënësit: të mos reshtin së mësuari dhe të ndjekin gjithmonë rrugën e dijes.
Një rikthim mes nostalgjisë dhe kujtimeve për ish-mësuesen, pikërisht në ditën kur zilja e shkollës ra sërish për një brez të ri nxënësish.
