Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, zgjodhi gjimnazin “Oso Kuka” për të uruar nxënësit dhe mësuesit në ditën e parë të vitit të ri shkollor. Mes emocioneve dhe atmosferës së një fillimi të ri, Beci u uroi të rinjve një vit të mbarë, plot dije dhe suksese.
Gjimnazi “Oso Kuka” është një nga institucionet arsimore ku Bashkia Shkodër ka investuar në përmirësimin e infrastrukturës. Ndërhyrjet janë përqendruar në rikonstruksionin e palestrës dhe ambienteve sportive, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve të nxënësve.
Kryebashkiaku u shpreh i kënaqur që ndodhej pranë nxënësve në një ditë të veçantë për ta, duke e cilësuar nisjen e vitit shkollor si një moment të mbushur me emocione, energji dhe objektiva të reja.
Ndërkohë, Bashkia Shkodër ka bërë të ditur se investimet në infrastrukturën arsimore do të vijojnë edhe gjatë këtij viti, me synim përmirësimin e kushteve në shkolla dhe krijimin e ambienteve sa më funksionale për nxënësit dhe mësuesit.
