Shkodra kryeson listën e destinacioneve më të vizituara në zonat e mbrojtura të Shqipërisë gjatë sezonit veror. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, gjatë periudhës qershor–gusht 2026, zonat e mbrojtura të Shkodrës regjistruan mbi 768 mijë vizitorë, duke lënë pas Vlorën me 595 mijë dhe Korçën me 361 mijë vizitorë.
Shifrat konfirmojnë interesin e lartë për pasuritë natyrore të qarkut të Shkodrës, ku turizmi malor dhe ai në natyrë po zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në ofertën turistike.
Në rang kombëtar, gjatë tre muajve të verës zonat e mbrojtura u vizituan nga rreth 3 milionë e 56 mijë turistë, ose 9,3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Rritja është regjistruar edhe për tetëmujorin. Nga janari deri në gusht 2026, zonat e mbrojtura në Shqipëri pritën mbi 4,56 milionë vizitorë, rreth 481 mijë më shumë se një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 11,8%.
Të dhënat e vendosin Shkodrën në krye të destinacioneve të natyrës gjatë verës, ndërsa fluksi i lartë i vizitorëve evidenton njëkohësisht nevojën për ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura.
