Teatri “Migjeni” në Shkodër do të sjellë në skenë nga 23 deri më 27 shtator shfaqjen “Shkodra ka plot dashuri”, një variete që ndërthur humorin, muzikën dhe emocionet, duke sjellë në qendër shpirtin dhe atmosferën karakteristike të qytetit.

Shfaqja vjen me regji të Zehrudin Dokles, ndërsa drejtimi muzikor i është besuar Ilir Zogës dhe skenografia Divni Gushtës.

Në skenë do të ngjiten emra të njohur të artit shkodran, mes tyre mjeshtrat e mëdhenj Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Dana Xhaj dhe Agron Dizdari, së bashku me një kast të gjerë aktorësh dhe artistësh.

“Shkodra ka plot dashuri” do të shfaqet për pesë mbrëmje radhazi, nga 23 deri më 27 shtator, duke nisur në orën 19:00 në Teatrin “Migjeni”. Shfaqja premton të rikthejë për publikun humorin, muzikën dhe personazhet që kanë karakterizuar ndër vite traditën artistike shkodrane.