Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” po forcon gjithnjë e më shumë profilin e tij ndërkombëtar. Gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, 66.6% e vizitorëve që kanë hyrë në muze kanë qenë të huaj, ndërsa rreth një në tre vizitorë është shqiptar.

Të dhënat e publikuara nga muzeu tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e publikut të huaj vjen nga Franca, Gjermania dhe Italia, vende me të cilat “Marubi” ka zhvilluar ndër vite ekspozita, bashkëpunime dhe prezantime kulturore.

Rritjen më të dukshme e shënon Franca. Vizitorët francezë përbënin 11.2% të totalit në vitin 2024, ndërsa kjo shifër u rrit në 14.1% në vitin 2025 dhe në 15.4% gjatë tetë muajve të parë të këtij viti.

Gjermania vijon gjithashtu të ketë një prani të rëndësishme, me 7.2% të vizitorëve gjatë vitit 2026, krahasuar me 8.6% në vitin 2025 dhe 8.7% në 2024.

Ndërkohë, vizitorët nga Italia përbëjnë 6.7% të publikut të muzeut gjatë këtij viti, e njëjta përqindje me vitin 2025, ndërsa në vitin 2024 arrinin në 9.5%.

Pavarësisht rritjes së profilit ndërkombëtar, publiku vendas vijon të zërë një pjesë të rëndësishme. Shqiptarët përbëjnë 33.4% të vizitorëve gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026. Në vitin 2025 kjo përqindje ishte 36.1%, ndërsa në vitin 2024 ishte 33.8%.

Shifrat dëshmojnë se “Marubi” po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pikë të rëndësishme të turizmit kulturor në Shkodër, ndërsa ekspozitat dhe bashkëpunimet jashtë vendit kanë ndihmuar në krijimin e një lidhjeje më të gjerë me publikun europian.