Në natën e shtatë të “Koko Fest”, në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” u ngjit trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës me komedinë e zezë “Gomerët e trojeve”. Me autor dhe regjisor Gent Bejkon, shfaqja ndërthur antikitetin me aktualitetin përmes humorit, ironisë dhe satirës, duke sjellë në vëmendje plagë sociale e politike të realitetit shqiptar.

“Për mua është disata herë që kam luajtur në këtë teatër të mrekullueshëm, është disata herë që vij, dhe sinqerisht ta them: të vish në Korçë, sidomos në anën time personale si Jozef, por edhe si shkodran, është një ndjenjë e veçantë. Dashuria jonë ndaj këtij qyteti është gjithmonë shumë e madhe, sepse Korça është kaq artdashëse dhe kaq punëtore për artin.” – u shpreh aktori Jozef Shiroka.

“Mesazhet e shfaqjes, ashtu siç kanë qenë në antikitet, nuk kanë ndryshuar asgjë. Edhe në ditët e sotme janë të njëjtat problematika, është i njëjti mentalitet. Luftrat janë po të njëjta, marrëdhënia e njerëzve është po e njëjtë: intriga, dhunë, vjedhje, korrupsion, çdo gjë. Thjesht ndryshon koha dhe gjeografia, por gjithçka mbetet e njëjtë. Kështu që antikiteti i ardhur në kohët e sotme nëpërmjet kësaj shfaqjeje është një mesazh që i tregon shoqërisë se ne, si shoqëri, së pari duhet të ndryshojmë.” – theksoi aktori Nikolin Ferketa.

Përmes situatave humoristike dhe një gjuhe satirike, vepra vendos përballë të shkuarën dhe të tashmen, duke nxitur reflektim mbi problematikat që shoqërojnë shoqërinë shqiptare. Trupa shkodrane u prit nga publiku korçar në kuadër të festivalit, i cili vijon me shfaqje të trupave teatrore nga mbarë hapësira shqiptare.