Nisma e Bashkisë Shkodër për grumbullimin e orendive dhe sendeve të vjetra ka nisur me interesim dhe bashkëpunim nga qytetarët.

Që në ditën e parë të zbatimit të saj, banorët iu përgjigjën thirrjes duke nxjerrë sendet e vjetra pranë pikave të përcaktuara, gjatë fashës orare 08:00–12:00. Më pas, ekipet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike nisën grumbullimin dhe evadimin e tyre në zona të ndryshme të qytetit.

Shërbimi do të ofrohet çdo të enjte, në të njëjtën fashë orare, duke u krijuar qytetarëve mundësinë që të largojnë në mënyrë të organizuar mobiliet, orenditë dhe sendet e tjera të vjetra që nuk përdorin më.

Nisma synon njëkohësisht të parandalojë hedhjen e këtyre mbetjeve pranë kontenierëve, një problematikë që ndikon në pastërtinë dhe pamjen e hapësirave publike.

Bashkia Shkodër u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë ditën dhe orarin e përcaktuar, si dhe të vijojnë bashkëpunimin me strukturat e shërbimeve publike, për të kontribuar në mbajtjen e një qyteti më të pastër.