Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka dhënë masa të forta ndaj drejtuesve të Vllaznisë, pas tensioneve që shoqëruan ndeshjen me Elbasanin.

Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, është dënuar me 15 ndeshje pezullim nga veprimtaria për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Gjatë kësaj periudhe, Xhaferit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet gjatë zhvillimit të veprimtarive sportive të organizuara nga FSHF.

Masë disiplinore është marrë edhe ndaj trajnerit të Vllaznisë, Edi Martini, i cili është dënuar me 6 ndeshje pezullim nga veprimtaria, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Ndërkohë, zyrtari i klubit shkodran Elis Dervishaj është dënuar me 4 ndeshje pezullim, për të njëjtën shkelje.

Vendimet lidhen me episodet pas ndeshjes Elbasani–Vllaznia, ndërsa edhe klubi elbasanas është gjobitur me 100 mijë lekë për mospërmbushje të përgjegjësive lidhur me rendin dhe sigurinë për incidentet e ndodhura pas përfundimit të takimit. Vendimi mund të ankimohet brenda 3 ditëve pranë Komisionit të Apelit.