Kalaja e Rozafës vijon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara turistike në Shkodër. Vetëm gjatë muajit gusht, monumenti historik u vizitua nga 27 mijë e 143 persona.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, numri i vizitorëve gjatë gushtit shënoi një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Fluksi i turistëve gjatë sezonit veror konfirmon interesin e vazhdueshëm për Kalanë e Rozafës, e cila, përveç historisë dhe trashëgimisë së saj, ofron edhe një panoramë të veçantë mbi Shkodrën dhe zonat përreth.
Rritja e vizitorëve gjatë muajit gusht përforcon rolin e këtij monumenti si një prej pikave kryesore të turizmit kulturor në Shkodër dhe në veri të vendit.
