Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” po shënon një rritje të interesit të maturantëve për vitin e ri akademik 2026–2027. Rektorja Prof. Dr. Blerta Dragusha bëri të ditur se këtë vit janë regjistruar rreth 500 aplikime më shumë krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të universitetit, faza e parë e regjistrimeve është mbyllur me një rritje prej 25%, ndërsa në fazën e dytë janë regjistruar 12% më shumë studentë se në të njëjtat faza të vitit të kaluar. Dragusha theksoi se përtej rritjes së numrit, pozitiv vlerësohet edhe cilësia e prurjeve të reja, pasi në fazën e parë janë regjistruar maturantët me mesataret më të larta.

Interes në rritje është shënuar edhe për programin “Administrim Biznes” në gjuhën angleze, ndërsa universiteti synon të tërheqë gjithashtu studentë nga Trojet dhe nga vende të tjera.

Procesi i regjistrimeve në Universitetin e Shkodrës vijon deri më 8 shtator. Ndërkohë, nga 2 deri më 13 shtator do të pranohet dokumentacioni i studentëve të huaj që kërkojnë të ndjekin studimet në këtë universitet.