Në Reç të Malësisë së Madhe u përkujtua 78-vjetori i masakrës së Koplikut, një prej ngjarjeve të rënda të periudhës së diktaturës komuniste. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë dhe familjarë të viktimave, të cilët kërkuan ruajtjen e kujtesës historike.
Besim Ndregjoni, President i Unionit të ish-të Përndjekurve Politikë, u ndal tek rëndësia e njohjes dhe dënimit të krimeve të komunizmit. Ai e lidhi mesazhin e tij edhe me çështje të aktualitetit, duke folur për projektin e shtetit bektashi dhe mosvendosjen ende të një busti për Prekë Calin.
Në aktivitet foli edhe Pashke Murri, trashëgimtare e një prej viktimave të masakrës. Ajo kërkoi që vuajtjet e familjeve të mos harrohen dhe krimet e kryera gjatë diktaturës të dënohen.
Masakra e Koplikut lidhet me represionin e ushtruar në verën e vitit 1948 ndaj popullsisë së Malësisë së Madhe, një zonë e njohur për qëndresën ndaj regjimit komunist. Për më shumë se një muaj, dhjetëra burra dhe gra u arrestuan, u rrahën, u torturuan dhe u dënuan. Mes viktimave ishin edhe katër burra të njohur të zonës, dy prej të cilëve klerikë katolikë.
78 vite më pas, masakra e Koplikut vazhdon të kujtohet si një prej plagëve të rënda të historisë së Malësisë së Madhe. Përfaqësuesit e ish-të përndjekurve dhe familjarët kërkojnë që këto ngjarje të mos harrohen, por të njihen dhe t’u përcillen brezave të rinj.
