Një ditë para nisjes së edicionit të ri të “Abissnet Superiore”, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, doli në konferencë për mediat, duke folur për pritshmëritë e skuadrës kuqeblu në sezonin e ri.

Martini parashikon një kampionat më të vështirë dhe më të fortë, ndërsa për objektivat e Vllaznisë preferoi të tregohej i kujdesshëm. Sipas tij, skuadra duhet të përqendrohet te çdo sfidë dhe objektivi do të shihet ndeshje pas ndeshje.

Një pjesë të veçantë të konferencës Martini ia kushtoi edhe tifozëve kuqeblu. Mesazhin për ta e nisi me një ndjesë për titullin kampion të humbur sezonin e kaluar, ndërsa kërkoi që mbështetja e tyre për skuadrën të vijojë edhe në sezonin e ri.

Vllaznia do ta nisë kampionatin përpara publikut të saj, me synimin për të marrë një rezultat pozitiv që në javën e parë.

Kuqeblutë do të përballen me Skënderbeun këtë të premte në stadiumin “Loro Boriçi”. Takimi do të nisë në orën 21:00 dhe do të shënojë startin e rrugëtimit të Vllaznisë në edicionin e ri të “Abissnet Superiore”.