Numri i vullnetarëve që angazhohen në kujdesin ndaj kafshëve endacake ka ardhur duke u zvogëluar kohët e fundit. Aktivistja Oli Pero thotë se vihet re një tkurrje e angazhimit të vendasve, ndërsa më të gatshëm për të ndihmuar shpesh tregohen shtetasit e huaj.

Puna e vullnetarëve lidhet me ushqimin, trajtimin dhe përkujdesjen ndaj kafshëve në nevojë. Sipas Peros, mungesa e një angazhimi më të gjerë nga komuniteti e bën edhe më të vështirë përballimin e rasteve të shumta.

Ndryshe paraqitet situata me adoptimet. Gjatë këtij viti është konstatuar një përmirësim, me më shumë raste të kafshëve që kanë arritur të gjejnë një familje dhe një strehë të përhershme.

Pavarësisht këtij zhvillimi pozitiv, mbetet e nevojshme rritja e ndërgjegjësimit dhe e përfshirjes së qytetarëve, jo vetëm për adoptimin, por edhe për kujdesin dhe trajtimin e përgjegjshëm të kafshëve.