Një risi e rëndësishme do të shoqërojë sezonin e ri të futbollit shqiptar, me synimin për t’u dhënë më shumë hapësirë talenteve të rinj. Në “Abissnet Superiore” dhe Kupën e Shqipërisë, skuadrat do të kenë detyrimin të aktivizojnë nga minuta e parë të paktën një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare.
Sipas rregullit të ri, futbollisti i ri duhet të qëndrojë në fushë për të paktën një pjesë loje. Vendimi synon që klubet të orientohen më shumë drejt promovimit të lojtarëve të akademive dhe t’u krijojnë atyre mundësi konkrete për të marrë minuta në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.
Trajneri i moshave, Arben Parmeza, e vlerëson pozitivisht këtë vendimmarrje, duke e konsideruar një mundësi të rëndësishme për futbollistët e rinj që kërkojnë të bëjnë hapin drejt ekipeve të para.
Aktivizimi i detyrueshëm pritet të shtojë vëmendjen e klubeve ndaj sektorëve të të rinjve dhe njëkohësisht t’u japë më shumë mundësi lojtarëve shqiptarë për të treguar vlerat e tyre në fushë.
Rregulli synon jo vetëm promovimin e talenteve, por edhe krijimin e një baze më të gjerë futbollistësh për të ardhmen, duke e kthyer aktivizimin e të rinjve në një pjesë të rëndësishme të strategjisë së klubeve shqiptare.
