Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor ka përmbyllur turin e saj artistik në Shkodër me koncertin instrumental “Me dashni nga Shkodra drejt skenave europiane”, të zhvilluar në Teatrin “Migjeni”.

Në skenë, muzikantët e rinj interpretuan një repertor me vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë, duke sjellë për publikun një mbrëmje të veçantë të muzikës simfonike. Koncerti u drejtua nga dirigjentët Desar Sulejmani dhe Harlen Nikolli.

Pas përfundimit të mbrëmjes, dy dirigjentët shprehën emocionet dhe vlerësimet e tyre për koncertin, muzikantët e rinj dhe pritjen që Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor ka gjetur gjatë qëndrimit në Shkodër.

Koncerti në Teatrin “Migjeni” mbylli disa ditë aktivitetesh të orkestrës në Shkodër, gjatë të cilave u zhvilluan koncerte të muzikës së dhomës dhe një koncert edukues për fëmijë, të rinj dhe familje.

Pas Shkodrës, turi artistik i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor do të vijojë në qytete të tjera të Shqipërisë dhe më pas jashtë vendit, duke çuar interpretimet e muzikantëve të rinj drejt skenave të tjera europiane.