Pas një sezoni veror të fokusuar edhe në prezantimin e veprave të fondit, Galeria e Arteve në Shkodër përgatitet të nisë nga shtatori një tjetër periudhë intensive aktivitetesh. Kalendari artistik i gjysmës së dytë të vitit pritet të sjellë ekspozita dhe projekte të ndryshme të artit pamor.
Muajt nga shtatori deri në dhjetor do të shënojnë rikthimin e plotë të veprimtarive në ambientet e galerisë, me një program që synon t’i japë hapësirë krijimtarisë artistike dhe të ruajë interesin e publikut për artet pamore.
Pjesë e vëmendjes së Galerisë së Arteve mbetet edhe fondi i saj, i krijuar ndër vite dhe që përmbledh vepra të autorëve të periudhave dhe rrymave të ndryshme artistike.
Përmes kalendarit të ri, Galeria e Arteve synon të vijojë rolin e saj si një prej hapësirave kryesore të jetës kulturore në Shkodër, duke afruar publikun me krijimtarinë e artistëve vendas dhe kombëtarë.
