Edukimi i brezave të rinj për trajtimin me kujdes dhe përgjegjësi të kafshëve endacake po shihet si një element i rëndësishëm për ndërgjegjësimin e shoqërisë. Në këtë drejtim, organizata “Animals Need Me” po zbaton prej vitit 2023 një projekt edukimi në shkolla.

Në kuadër të kësaj nisme janë zhvilluar mbi 100 workshop-e, ku nxënësit janë njohur me mënyrat e duhura të sjelljes ndaj kafshëve, rëndësinë e mirëqenies së tyre dhe nevojën për të shmangur keqtrajtimin apo braktisjen.

Përmes takimeve me nxënësit, synohet që kujdesi ndaj kafshëve të kultivohet që në moshë të hershme, duke nxitur një marrëdhënie më të përgjegjshme dhe humane me kafshët endacake.

Ndërtimi i strehëzave ndihmon në reduktimin e numrit të kafshëve endacake në rrugë, por nuk konsiderohet një zgjidhje e përhershme e fenomenit sipas aktivistes, Oli Pero. Përballimi afatgjatë i problematikës kërkon masa të tjera, që nga sterilizimi dhe kontrolli i shumimit deri te ndërgjegjësimi i qytetarëve kundër braktisjes së kafshëve.

Organizata “Animals Need Me” e konsideron edukimin një nga mënyrat më të rëndësishme për të sjellë ndryshim afatgjatë, krahas ndërhyrjeve konkrete për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve.