Studio e përbashkët mediatike në Ulqin

Një studio e re e përbashkët e tre transmetuesve publikë të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi është hapur në Ulqin, duke shënuar një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit mediatik në rajon.

Hapësira do të shfrytëzohet nga Radio Televizioni i Kosovës, Radio Televizioni Shqiptar dhe Radio Televizioni i Malit të Zi. Përmes saj synohet të krijohen më shumë mundësi për raportime të përbashkëta, shkëmbim të përmbajtjeve dhe bashkëpunim mes gazetarëve të tre transmetuesve publikë.

Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, e cilësoi studion si më shumë sesa një hapësirë të re pune, duke theksuar se ajo simbolizon përkushtimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet transmetuesve publikë.

Sipas saj, kjo nismë do të ndihmojë në krijimin e një platforme të përbashkët për pasqyrimin e ngjarjeve dhe historive nga rajoni, duke afruar njëkohësisht ekipet mediatike të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Studioja në Ulqin është e katërta që Radio Televizioni i Malit të Zi hap me mbështetjen e Bashkimit Europian, pas studiove të ngritura më herët në Bjello Polje, Nikshiq dhe Tivat.

Hapja e kësaj hapësire pritet të zgjerojë mundësitë e bashkëpunimit profesional dhe të sjellë një prani më të drejtpërdrejtë të transmetuesve publikë në Ulqin dhe në zonat përreth.