Shkodra do të jetë sërish kryeqendra e muzikës jazz gjatë muajit gusht, me organizimin e edicionit të 17-të të “Shkodra Jazz Festival 2026”. Nga data 10 deri më 30 gusht, qyteti do të mirëpresë një program të pasur me koncerte, masterclass dhe aktivitete artistike, ku do të marrin pjesë muzikantë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Serbia, Rumania dhe Italia.

Drejtori artistik Florian Jakaj bëri të ditur se edhe këtë vit festivali synon të krijojë një hapësirë takimi mes artistëve të vendeve të rajonit dhe më gjerë, duke e kthyer Shkodrën në një pikë referimi për muzikën jazz dhe bashkëpunimin kulturor.

Një tjetër element i rëndësishëm i këtij edicioni do të jetë vijimi i bashkëpunimit me RTSH-në, e cila do të mbështesë edhe këtë vit promovimin dhe transmetimin e aktiviteteve të festivalit, duke i sjellë ato më pranë publikut.

“Shkodra Jazz Festival 2026” organizohet nga Shoqata Kulturore “Rrok Jakaj”, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe institucione të tjera partnere. Me një traditë tashmë të konsoliduar, festivali vijon të promovojë muzikën jazz, shkëmbimin kulturor dhe talentet artistike, duke e forcuar profilin e Shkodrës si një qytet me identitet të spikatur kulturor.