Temperaturat e larta të ditëve të gushtit mund të shkaktojnë pasoja negative në shëndetin e çdo grupmoshe, por më të rrezikuarit mbeten fëmijët e vegjël. Ekspozimi i tyre në diell, veçanërisht gjatë orëve të pikut, konsiderohet i rrezikshëm dhe mund të sjellë dehidratim, lodhje, dobësi apo probleme të tjera shëndetësore.
Mjekja pediatre, Manjola Shpori, u bën apel prindërve që të shmangin daljet me fëmijët gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të tregojnë kujdes të shtuar për mbrojtjen e tyre.
Sipas pediatres, një rëndësi të veçantë në këtë periudhë ka hidratimi i vazhdueshëm. Fëmijëve duhet t’u ofrohet ujë në mënyrë të shpeshtë, edhe në rastet kur ata nuk shfaqin ndjesinë e etjes.
Kujdes duhet treguar edhe për veshjet, të cilat duhet të jenë të lehta, të lirshme dhe me ngjyra të çelëta. Kapelja dhe qëndrimi në ambiente të freskëta ose me hije janë masa të tjera që ndihmojnë në shmangien e pasojave nga temperaturat e larta.
Mjekët këshillojnë që prindërit të vëzhgojnë çdo ndryshim në gjendjen e fëmijëve, si plogështia, marramendja, tharja e gojës apo rritja e temperaturës trupore. Në rast të shfaqjes së këtyre simptomave, duhet të ndërpritet menjëherë ekspozimi në vapë dhe të kërkohet ndihmë mjekësore.
