Shkodra po përjeton një sezon turistik me rezultate pozitive, duke konfirmuar rritjen e interesit të vizitorëve vendas dhe të huaj për qytetin dhe zonat përreth. Fluksi i turistëve është rritur ndjeshëm gjatë kësaj vere, ndërsa numri i netëqëndrimeve vijon të shënojë rritje krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të Bashkisë Shkodër, netëqëndrimet janë rritur me rreth 15–20%, ndërsa muajt korrik dhe gusht po rezultojnë ndër më të suksesshmit për sektorin e turizmit. Interesi i turistëve për destinacionin vijon të jetë në rritje, duke e kthyer Shkodrën në një nga pikat më të preferuara për pushime në veri të vendit.

Përfaqësuesit e Bashkisë vlerësojnë se ky trend pozitiv është rezultat i promovimit të vazhdueshëm të destinacionit, por edhe i ofertës turistike që bashkon trashëgiminë kulturore, natyrën, gastronominë dhe mikpritjen karakteristike shkodrane.

Rritja e vizitorëve dhe netëqëndrimeve pritet të japë ndikim pozitiv edhe në ekonominë lokale, ndërsa autoritetet synojnë ta konsolidojnë Shkodrën si një nga destinacionet më tërheqëse turistike në Shqipëri.