KF Vllaznia ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit Adnard Mehmeti, i cili do të jetë pjesë e skuadrës kuqeblu për sezonin 2026-2027. Klubi shkodran bëri të ditur se transferimi është realizuar pas marrëveshjes së arritur me Partizanin.

Mehmeti vjen në Shkodër pas dy sezonesh pozitive me ekipin kryeqytetas, ku u dallua për paraqitjet e tij dhe u shndërrua në një nga elementët e rëndësishëm të mesfushës. Megjithatë, me ndryshimet e ndodhura te Partizani dhe ardhjen e stafit të ri teknik, lojtari vendosi të nisë një aventurë të re.

Me këtë transferim, Vllaznia shton ndjeshëm alternativat në mesin e fushës. Trajneri Edi Martini tashmë ka në dispozicion futbollistë si Dros, Qato, Tafili, Herald Marku, Kobiljar dhe Adnard Mehmeti, ndërsa në këtë repart mund të aktivizohet edhe Dwumfour, në varësi të nevojave taktike.

Klubi kuqeblu i ka uruar mirëseardhjen mesfushorit të ri, duke shprehur besimin se ai do të japë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e objektivave të sezonit dhe do të përjetojë shumë suksese me fanellën e Vllaznisë.