Kalaja e Shkodrës vijon të jetë një nga destinacionet më tërheqëse për turistët që vizitojnë veriun e Shqipërisë. Çdo ditë, qindra vizitorë nga vende të ndryshme të botës ngjiten drejt monumentit historik, për t’u njohur me historinë e tij shekullore dhe për të shijuar panoramën mbi qytetin, liqenin dhe lumenjtë.

Turistët shprehen të mahnitur nga përmasat e kalasë, gjendja e saj e ruajtjes dhe pamja që ofrohet nga muret e lashta.

“Është shumë bukur. Jam shumë e lumtur që ndodhem këtu. Gjithçka është e këndshme, ndërsa pamja është e mrekullueshme”, shprehet një prej vizitoreve.

Për disa turistë, vizita në kala lidhet edhe me rrënjët familjare. Një vizitore që jeton në Greqi dhe ka origjinë shkodrane është rikthyer në vendlindjen e të atit pas shumë vitesh.

“Babai im është nga Shkodra. Kam qenë këtu kur isha e vogël, ndërsa kjo është hera e parë që vij si e rritur. Na pëlqen vërtet shumë dhe e duam këtë vend”, tregon ajo.

Edhe vizitorët nga Belgjika veçojnë madhështinë e monumentit dhe bukurinë e peizazhit përreth.

“Pamja është shumë e bukur, ndërsa kalaja është e madhe dhe madhështore. Më pëlqen shumë Shqipëria”, shprehet një turiste belge.

Të impresionuar nga Kalaja e Shkodrës janë edhe turistët nga Katalonja, të cilët e cilësojnë atë si një prej kështjellave më të bukura dhe më të ruajtura që kanë vizituar.

“Këtu ka histori, qytet dhe shumë gjëra të ndryshme për të parë. Kalaja ka një shtrirje shumë të madhe dhe është ruajtur mjaft mirë. Pamja është e pabesueshme, me malet, lumenjtë, rrugët e vjetra dhe ato të reja”, shprehen ata.

Kalaja e Shkodrës vazhdon të jetë një prej monumenteve historike më të vizituara në Shqipëri. Përmes historisë, legjendës dhe panoramës së saj unike, ajo mbetet simbol i trashëgimisë kulturore dhe një prej krenarive më të mëdha të qytetit të Shkodrës.