Pas premierës në Lezhë, Shkodra u bë ndalesa e dytë e shfaqjes artistike “Salambo lexon gazetën”, një poemë për skenë e autores Elsa Demo, e interpretuar nga aktorja Julinda Emiri dhe me regji të Vladimir Dodës.

E vendosur në hapësirën e Qendrës Rinore “Arka”, shfaqja solli para publikut historinë e Salambos, një gruaje në margjinat e shoqërisë, e cila rrëfen jetën e saj në rend të kundërt kronologjik, duke ndërthurur kujtimet personale me imagjinaren kolektive. Përmes këtij rrëfimi ngrihen pyetje të forta mbi trupin, identitetin, dhunën dhe lirinë e gruas.

Në prononcimet e tyre, regjisori Vladimir Doda dhe aktorja Julinda Emiri theksuan se shfaqja synon të nxisë reflektim mbi pozitën e gruas në shoqëri, të drejtën për të zgjedhur dhe lirinë individuale, duke përdorur teatrin si një mjet dialogu dhe ndërgjegjësimi.

Pas pritjes së publikut në Lezhë dhe Shkodër, shfaqja “Salambo lexon gazetën” do të vijojë turneun e saj artistik edhe në qytete të tjera të vendit.