Vllaznia vijon të japë sinjale pozitive në fazën përgatitore, duke regjistruar një tjetër fitore bindëse. Kuqeblutë triumfuan 4-0 ndaj Burrelit, skuadër e Kategorisë së Parë e drejtuar nga tekniku shkodran Samuel Nikaj, në testin e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”.

Shkodranët e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë falë dy golave të Muratajt në minutat 16 dhe 33. Në fraksionin e dytë, Vllaznia ruajti ritmin dhe thelloi rezultatin me Zohoulen në minutën e 56-të dhe Tafilin në të 75-ën, duke vulosur fitoren 4-0.

Pas ndeshjes, zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Ergi Borshi, u shpreh se skuadra po tregon përmirësim të dukshëm në aspektin fizik, ndërsa theksoi se drejtuesit janë ende në kërkim të përforcimeve për të plotësuar organikën përpara nisjes së sezonit.

Nga ana tjetër, trajneri i Burrelit, Samuel Nikaj, vlerësoi paraqitjen e ekipit të tij në disa momente të lojës. Ai pranoi diferencën në cilësi mes dy skuadrave, por nënvizoi se pavarësisht humbjes, pa elementë pozitivë mbi të cilët do të vazhdojë puna në javët e ardhshme.

Përgatitjet e Vllaznisë do të vijojnë pa ndërprerje. Të hënën, kuqeblutë do të udhëtojnë drejt Pukës, ku do të zhvillojnë një fazë të re stërvitore dhe pritet të luajnë edhe disa ndeshje të tjera miqësore në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri.