Shoqata e Atletikës “Vllaznia”, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, organizoi aktivitetin “Kupa e Ikonave”, një veprimtari kushtuar figurave që kanë lënë gjurmë në historinë e atletikës shkodrane dhe shqiptare.

Aktiviteti u zhvillua në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”, ku u përkujtuan 20 personalitete të shquara të këtij sporti, mes tyre Gëzim Mema, Vildan Tufi, Feti Dizdari dhe emra të tjerë që nuk jetojnë më, por që vijojnë të mbeten pjesë e historisë falë rezultateve dhe kontributit të tyre.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Izmir Smajlaj, vlerësoi traditën e pasur të atletikës në Shkodër, duke theksuar se ky qytet vazhdon të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të këtij sporti në vend.

Edhe kryetrajneri i Shoqatës së Atletikës “Vllaznia”, Albert Marashi, nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së historisë së atletikës dhe frymëzimit të brezave të rinj përmes figurave që kanë ngritur lart emrin e Shkodrës dhe Shqipërisë në arenën sportive.

Në kuadër të ceremonisë u ndanë çertifikata “Mirënjohje” për figura me kontribut të veçantë në atletikë, si Artor Mlloja, Ruzhdi Piraniqi, Pjetër Mandi, Gjon Rudi, Met Rama, Ymer Syrjaja dhe Bedri Haxhija.

Aktiviteti u shoqërua edhe me gara atletike për djem dhe vajza në kategori të ndryshme, duke ndërthurur nderimin për ikonat e këtij sporti me promovimin e talenteve të rinj, në vazhdën e traditës së suksesshme të atletikës shkodrane.