Vllaznia është mposhtur me rezultatin 2-1 nga Lokomotiva Zagreb në ndeshjen e pestë miqësore të fazës përgatitore që po zhvillon në Slloveni. Kuqeblutë kaluan të parët në avantazh, por edhe këtë herë nuk arritën ta ruanin epërsinë.

Skuadra e Edi Martinit zhbllokoi rezultatin në minutën e 12-të me Klinti Qaton. Megjithatë, kroatët përfituan nga një gabim në mbrojtjen shkodrane për të barazuar në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë realizuan edhe golin e fitores me një goditje dënimi.

Ky ishte një tjetër takim ku Vllaznia e pa veten në avantazh, por u largua pa rezultat pozitiv. Në katër humbjet e regjistruara në Slloveni, tre prej tyre kanë ardhur pikërisht pas përmbysjes së rezultatit nga kundërshtarët.

Bilanci i kuqebluve në fazën përgatitore mbetet një fitore dhe katër humbje. Në pesë ndeshje janë shënuar gjithsej 29 gola, me Vllazninë që ka realizuar 11 dhe ka pësuar 18.

Pas humbjes 4-0 ndaj Olimpija Ljubljana, fitores 6-3 ndaj NK Rudes, disfatave 4-2 me Koperin dhe 5-2 ndaj Argeș Pitești, ekipi i Martinit është mposhtur edhe nga Lokomotiva Zagreb. Megjithatë, këto sfida mbeten pjesë e procesit të ndërtimit të skuadrës përpara nisjes së sezonit të ri dhe ndeshjeve në Evropë.