Rektorja e re e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Blerta Dragusha, ka dhënë intervistën e saj të parë televizive ekskluzivisht për RTSH, ku ka prezantuar prioritetet që do të udhëheqin mandatin e saj pas marrjes së detyrës, në vijim të dorëheqjes së paraardhësit, Prof. Dr. Tonin Gjuraj.
Në qendër të programit të saj mbetet zgjerimi i ofertës akademike përmes hapjes së programeve të reja të studimit, të përshtatura me kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e zhvillimit të rajonit. Sipas rektores, universiteti synon të rrisë cilësinë dhe konkurrueshmërinë për studentët aktualë dhe brezat që do të zgjedhin të studiojnë në Shkodër.
Një tjetër çështje e rëndësishme është përmirësimi i infrastrukturës universitare. Dragusha bëri të ditur se ka zhvilluar një takim me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, ku janë diskutuar projektet prioritare të investimeve që pritet të mbështesin zhvillimin e universitetit në vitet e ardhshme.
Në intervistë, rektorja ndaloi edhe te situata institucionale pas ndryshimit në drejtim, duke theksuar se stabiliteti i universitetit do të garantohet përmes respektimit të ligjit, transparencës dhe funksionimit normal të organeve drejtuese.
Me këtë vizion, drejtuesja e re synon ta orientojë universitetin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, duke forcuar cilësinë akademike, bashkëpunimin institucional dhe kushtet për studentët e stafin.
