Nata e dytë e edicionit të 9-të të Festivalit të Muzikës Moderne solli në skenën e Teatrit “Migjeni” një repertor të pasur me këngë të njohura botërore, duke i dhuruar publikut një mbrëmje të mbushur me ritëm dhe emocione. Të ftuarit nga Mali i Zi, L’ombelico Band, interpretuan disa prej hiteve më të njohura ndërkombëtare, të cilat u pritën me duartrokitje nga të pranishmit.

Një nga momentet e veçanta të mbrëmjes ishte nderimi pas vdekjes i pedagogut të trombonit, Sokol Marku, i cili u vlerësua me Çertifikatë Mirënjohjeje për kontributin e tij në zhvillimin e muzikës në Shkodër.

Në vijim, skena iu besua formacionit Big Band, zemra artistike e festivalit, që së bashku me Markelian Kapidanin dhe artistë të tjerë sollën interpretime të vlerësuara nga publiku, duke përmbyllur me sukses këtë edicion.

Në përfundim të festivalit, drejtori artistik Gjon Shllaku dhe libretistja Rozafa Shpuza vlerësuan nivelin artistik të dy netëve dhe rëndësinë e ruajtjes së traditës muzikore, duke theksuar se festivali ka krijuar një urë të qëndrueshme mes brezave.

Për dy netë me radhë, Teatri “Migjeni” u kthye në qendrën e muzikës moderne në Shkodër, duke bashkuar artistë të brezave të ndryshëm dhe duke dëshmuar se tradita muzikore e qytetit vijon të jetojë e të pasurohet nga brezat e rinj.