Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur diskutimet për strukturën dhe skemën e kampionateve për sezonet 2026/27, 2027/28 dhe 2028/29. Në një takim konsultues të zhvilluar mes Departamentit të Garave, Komisionit të Ligave dhe Garave dhe përfaqësuesve të klubeve të “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, u prezantuan propozimet për formatin e ri të kampionateve.

Drejtori i Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, paraqiti një projekt që synon rritjen e konkurrueshmërisë, uljen e numrit të ndeshjeve pa objektiv sportiv dhe përmirësimin e nivelit të garës gjatë gjithë sezonit. Sipas FSHF-së, ndryshimet synojnë gjithashtu të ndihmojnë skuadrat shqiptare në përgatitjen për kompeticionet europiane, përmes zhvillimit të më shumë ndeshjeve me peshë sportive.

Një nga pikat më të diskutuara të propozimit është heqja e skemës “Final 4”, e cila ka qenë objekt debatesh që prej aplikimit të saj. Nga reagimet e deritanishme duket se një pjesë e madhe e opinionit sportiv shkodran është në favor të rikthimit te një format më tradicional i kampionatit.

Trajnerët Edmond Doçi dhe Ersi Çaku, si dhe gazetarët sportivë Gaspër Marku dhe Maringlen Zhivani, shprehin opinionet e tyre lidhur me ndryshimet e mundshme, duke vlerësuar se çdo reformë duhet të garantojë drejtësi sportive dhe të ruajë interesin e garës deri në javët e fundit të kampionatit.

Të gjitha komentet dhe rekomandimet e mbledhura gjatë procesit konsultues do t’i kalojnë për shqyrtim Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, i cili pritet të marrë vendimin përfundimtar për formatin e kampionateve të elitës dhe Kategorisë së Parë për tre sezonet e ardhshme.