UEFA ka zyrtarizuar axhendën e përballjeve mes Vllaznisë dhe Malishevës në turin e parë të Ligës së Konferencës.

Ndeshja e parë do të luhet më 9 korrik në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, me fillim në orën 20:00, sipas kalendarit të publikuar nga UEFA. Kuqeblutë do të synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit para tifozëve të tyre.

Ndërkohë, sfida e kthimit do të zhvillohet në Kosovë më 15 korrik, një ditë më herët se zakonisht zhvillohen ndeshjet e Ligës së Konferencës. Takimi do të luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe do të nisë në orën 16:30.

Orari i hershëm i ndeshjes së kthimit lidhet me mungesën e ndriçimit artificial në stadiumin ku luan Malisheva. Për pasojë, të dy skuadrat pritet të përballen me temperatura të larta vere në një sfidë që mund të rezultojë vendimtare për fatin e kualifikimit në raundin e ardhshëm të kompeticionit europian.