Një nga monumentet më të veçanta natyrore dhe historike të Shkodrës vazhdon të qëndrojë madhështor edhe pas më shumë se dy shekujsh. Çinari i Hoxhë Dheut, me një lartësi prej 20 metrash dhe një perimetër trungu prej 572 centimetrash, konsiderohet ndër pemët më të rëndësishme monumentale të qytetit.

Ky rrap shekullor mban emrin e Hoxhë Dheut, i njohur si bamirës dhe pajtues gjaqesh, ndërsa për vlerat e tij historike dhe kulturore gëzon statusin Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1973. Aktualisht, ai është një nga vetëm dy çinarët monumentale që kanë mbetur në Shkodër.

Sipas studiuesit Zamir Tafilica, pema ndodhet në gjendje shumë të mirë dhe, pavarësisht moshës mbi 200-vjeçare, ka ende një jetëgjatësi të konsiderueshme përpara.

Studiuesi apelon që institucionet dhe komuniteti të tregojnë më shumë kujdes ndaj këtij monumenti natyror, në mënyrë që ai të ruhet dhe t’u transmetohet brezave të ardhshëm.

Dikur Shkodra numëronte disa çinarë të tillë, të cilët shërbenin si vende takimesh dhe kuvendesh për banorët. Sot, Çinari i Hoxhë Dheut mbetet jo vetëm një pasuri natyrore, por edhe një simbol i historisë, traditës dhe kujtesës së qytetit.