Në Bibliotekën “Zoja e Shkodrës” u promovua libri “Drita e Shejzave”, përmbledhja e plotë e publicistikës së Ernest Koliqit për periudhën 1957-1974. Vepra, e sjellë nga Botimet Fishta, vjen e përgatitur me parathënie nga studiuesi Ardian Ndreca.
Në fjalën e tij, ai e cilëson këtë vëllim si një përmbledhje që ofron një panoramim gjithëpërfshirës të mendimit, veprimtarisë dhe botës shpirtërore të Ernest Koliqit gjatë një periudhe gati 20-vjeçare. Sipas tij, publicistika e përfshirë në këtë botim dëshmon për një intelektual që, edhe në mërgim, ruajti lidhjen me atdheun, kulturën shqiptare dhe zhvillimet e kohës, duke reflektuar përmes shkrimeve të tij shqetësimet, idealet dhe vizionin për të ardhmen e shqiptarëve.
Ndreca thekson se faqet e këtij libri shpalosin jo vetëm mendimin publicistik të Koliqit, por edhe dimensionin e tij njerëzor, kulturor dhe kombëtar, duke i dhënë lexuesit mundësinë të njohë në tërësi një nga figurat më të rëndësishme të mendimit shqiptar të shekullit XX.
Nga ana tjetër, Frano Kulli u shpreh se ky botim përbën një ngjarje të veçantë kulturore, pasi për herë të parë publicistika e Ernest Koliqit vjen e mbledhur e plotë në një vëllim të vetëm. Sipas tij, libri përfaqëson një pasuri të rëndësishme dokumentare dhe letrare, duke u ofruar studiuesve, studentëve dhe lexuesve një qasje më të plotë mbi veprën dhe trashëgiminë intelektuale të Koliqit.
Aktiviteti mblodhi studiues, intelektualë, dashamirës të librit dhe qytetarë të interesuar për figurën e Ernest Koliqit, duke e kthyer promovimin në një takim kushtuar rivlerësimit të trashëgimisë së një prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës shqiptare.
