Shoqata e Basketbollit Vllaznia zhvilloi këtë të diel homazhe nderimi në kujtim të ish-basketbollistit shkodran Fatjon Taraboshi, i cili u nda nga jeta në moshën 39-vjeçare. Ceremonia u mbajt në hollin e Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi”, ku morën pjesë familjarë, miq, ish-bashkëlojtarë dhe përfaqësues të komunitetit sportiv.
Trajneri Bledar Gjeçaj e cilësoi largimin e Taraboshit si një humbje të madhe për basketbollin shkodran, duke vlerësuar kontributin e tij në periudhat më të vështira të Vllaznisë dhe përkushtimin që tregoi ndër vite në sport.
Edhe ish-basketbollistët Herion Faslija dhe Damian Bekteshi shprehën dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut dhe ish-bashkëlojtarit të tyre. Ata e kujtuan Taraboshin si një njeri me vlera të larta shoqërore dhe si një sportist që krijonte frymë pozitive e harmoni brenda ekipit.
Përmes këtyre homazheve, komuniteti i basketbollit shkodran nderoi figurën dhe kontributin e Fatjon Taraboshit, duke ruajtur me respekt kujtimin e një sportisti që la gjurmë si në parket, ashtu edhe në jetën e përditshme.
