Shiroka përjetoi një mbrëmje të jashtëzakonshme artistike me koncertin “Ramë Lahaj & Friends”, një aktivitet i organizuar nga Bashkia Shkodër që mblodhi qindra artdashës buzë liqenit.
Tingujt e muzikës, interpretimet brilante të artistëve dhe duartrokitjet e pandërprera të publikut krijuan një atmosferë magjike, duke e kthyer Shirokën në një skenë të vërtetë emocionesh dhe arti. Tenori me famë botërore nga Kosova, Ramë Lahaj vlerësoi mikpritjen dhe dashurinë e publikut shkodran, duke theksuar se Shkodra mbetet një vend i veçantë për të dhe se energjia që përcjell publiku është unike.
Sipas dirigjentit dhe kompozitorit Zef Çoba, organizimi i aktiviteteve të tilla e rikthen Shkodrën në vendin që meriton në piedestalin e muzikës shqiptare dhe të ngjarjeve të mëdha kulturore.
Koncerti u shndërrua në një nga aktivitetet më të spikatura të sezonit veror, duke dëshmuar rëndësinë e investimit në kulturë dhe organizimit të eventeve që pasurojnë jetën artistike të qytetit. Publiku shijoi një mbrëmje të mbushur me emocione, muzikë cilësore dhe interpretime që u pritën me duartrokitje të shumta.
