Një tjetër sukses i rëndësishëm për atletikën shqiptare është regjistruar në Kampionatin Ballkanik që po zhvillohet në Volos të Greqisë. Katër atletë të kombëtares shqiptare dhe njëkohësisht të ekipit të Vllaznisë kanë thyer rekordin kombëtar në garën e stafetës 4×100 metra, një rekord që qëndronte i pathyer prej plot 31 vitesh.
Kuarteti i përbërë nga Franko Burraj, Endri Rakaj, Leandro Çardaku dhe Kolindo Kiri ndalën kronometrin në kohën 41 sekonda e 24 të qindtat, duke vendosur një rekord të ri kombëtar.
Rekordi i mëparshëm ishte vendosur më 6 korrik 1995 në Lubjanë të Sllovenisë nga katër atletë shkodranë, Arben Maka, Oltion Luli, Sokol Shepeteja dhe Ilir Xhani, me kohën 41 sekonda e 48 të qindtat.
Ky është rekordi i dytë i rëndësishëm për Shqipërinë në këtë kampionat, pas atij të Franko Burrajt në garën e 400 metrave. Rezultati i arritur në Volos konfirmon progresin e atletikës shqiptare dhe veçanërisht kontributin e sportistëve shkodranë në arenën ndërkombëtare.
Për suksesin historik janë përgëzuar edhe trajnerët Albert Marashi dhe Bruno Rrotani, të cilët kanë kontribuar në përgatitjen e atletëve që rikthyen pas më shumë se tre dekadash një rekord kombëtar në duart e Shqipërisë.
