Kombëtarja shqiptare e vajzave ka mësuar sot kundërshtaren e saj në fazën play-off të Kampionatit Botëror të Futbollit për Femra “Brazil 2027”. Shorti i hedhur në selinë e UEFA-s vendosi që përfaqësuesja kuqezi të përballet me Uellsin në raundin e parë të play-off-it.

Sipas formatit të garës, ndeshja e parë do të zhvillohet në Shqipëri gjatë muajit tetor, ndërsa sfida e kthimit do të luhet në Uells. Datat zyrtare të takimeve pritet të konfirmohen në ditët në vijim.

Në rast se Shqipëria arrin të eliminojë Uellsin, atëherë do të përballet në raundin e dytë të play-off-it me fituesen e çiftit Rumani – Norvegji. Ndeshjet e këtij raundi do të luhen gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.

Arritja në play-off përbën një moment historik për futbollin e vajzave në Shqipëri. Për herë të parë në historinë e saj, Kombëtarja shqiptare e femrave ka siguruar praninë në këtë fazë të kualifikueseve të një Kampionati Botëror, duke konfirmuar progresin e vazhdueshëm dhe rritjen e nivelit të futbollit të vajzave në vend.