Pas dorëheqjes së parevokueshme nga detyra e rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj ka publikuar një mesazh falënderues drejtuar qytetarëve të Shkodrës, stafit akademik, studentëve dhe bashkëpunëtorëve të universitetit.
Në reagimin e tij, Gjuraj shpreh mirënjohje për mbështetjen e marrë gjatë periudhës gati dyvjeçare në krye të institucionit, duke vlerësuar besimin dhe angazhimin e komunitetit akademik dhe qytetar.
Ish-rektori shprehet se ka keqardhje që projekti i tij për Universitetin e Shkodrës nuk arriti të përmbyllej, por nënvizon se çdo përpjekje për ndryshim përballet natyrshëm me rezistencë dhe mospajtime.
Një nga pjesët më të forta të deklaratës është qëndrimi i tij ndaj kritikëve, ku thekson se respekton mendimet ndryshe dhe se, edhe ndaj atyre që sipas tij përdorën “fjalën e rëndë, shpifjen apo fabrikimin”, zgjedh të shprehë falje dhe paqe.
Gjuraj ka bërë thirrje që energjitë të përqendrohen tashmë në mbështetjen e drejtimit të ri të universitetit, duke uruar sukses për Prof. Dr. Blerta Dragushën dhe ekipin e saj në vitin akademik 2026–2027.
Në fund të mesazhit, ai u ka bërë apel maturantëve që të zgjedhin Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për vijimin e studimeve universitare.
Reagimi i plotë i ish-rektorit Tonin Gjuraj
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Shkodrës,
Të nderuar kolege dhe kolegë,
Të dashura studente dhe studentë,
Të nderuar punonjës të administratës,
Të respektuar bashkëpunëtorë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”,
Në këtë moment të rëndësishëm, pas dorëheqjes sime të parevokueshme nga detyra e Rektorit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë ata që, me besim, mbështetje dhe mirëkuptim, kanë qenë pranë Universitetit dhe pranë meje gjatë kësaj periudhe gati dyvjeçare.
Falënderoj qytetarët e Shkodrës për vëmendjen, ndjeshmërinë dhe mbështetjen e treguar ndaj një institucioni që i përket jo vetëm komunitetit akademik, por edhe qytetit e më gjerë. Falënderoj stafin akademik dhe administrativ, studentet dhe studentët, si dhe çdo bashkëpunëtor që besoi se Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mund të ecë përpara me më shumë përgjegjësi, dinjitet dhe hapje ndaj së ardhmes.
Kam keqardhje që projekti im për Universitetin nuk mundi të vijojë deri në fund. Megjithatë, e kuptoj se çdo përpjekje për ndryshim ndeshet edhe me hezitime, rezistencë apo mospajtime. Kjo është normale në një shoqëri të lirë dhe të hapur.
I respektoj ata që menduan ndryshe. Madje, edhe ndaj atyre që, në rrugën e përballjes, zgjodhën fjalën e rëndë, shpifjen apo fabrikimin, dua të shpreh sot, qetësisht, faljen dhe paqen time. Për mua, mbi gjithçka mbetet Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Tani është e rëndësishme që energjitë tona të bashkohen për të mirën e institucionit. Le të mbështesim drejtimin e ri, Prof. Dr. Blerta Dragusha dhe ekipin e saj, me shpresën dhe përgjegjësinë që viti akademik 2026–2027 të jetë i mbarë, i qetë dhe i suksesshëm për Universitetin tonë, për studentët dhe për Shkodrën.
Ftoj maturantët, kudo që ndodhen, të zgjedhin UNISHK-un për vijimin e studimeve universitare në vitin akademik 2026–2027.
Me respekt dhe mirënjohje,
Prof. Dr. Tonin Gjuraj
16 qershor 2026
