Bashkia Shkodër vijon të ofrojë shërbime për qytetarët dhe turistët në plazhin publik të Velipojës, me synimin për të garantuar kushte të përshtatshme gjatë sezonit turistik veror.
Plazhi publik, i menaxhuar nga Bashkia Shkodër përmes shoqërisë “Scodrinon” Sh.A., funksionon me një tarifë prej 400 lekësh dhe përfshin shërbime që lidhen me pastërtinë, sigurinë dhe mirëmbajtjen e hapësirave në dispozicion të pushuesve.
Sipas bashkisë, mirëmbajtja e vazhdueshme dhe organizimi i shërbimeve synojnë të krijojnë kushte sa më të mira për familjet dhe vizitorët që zgjedhin Velipojën si destinacion pushimesh.
Autoritetet vendore bëjnë të ditur se ofrimi i një plazhi publik të aksesueshëm mbetet pjesë e politikave për mbështetjen e turizmit dhe garantimin e hapësirave publike për të gjithë qytetarët gjatë sezonit veror.
