Një nga bizneset më të njohura të zonës muzeale në Shkodër, “Cliché”, ka njoftuar se do të pezullojë aktivitetin e tij çdo ditë nga ora 18:00 deri në 19:00, si një gjest simbolik solidariteti me protestën qytetare “Revolucioni Flamingo”, e cila po zhvillohet në Tiranë dhe po kërkon më shumë përgjegjësi, drejtësi dhe respekt ndaj qytetarëve.

Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, drejtuesit e biznesit theksojnë se nuk përfaqësojnë asnjë forcë politike, por se vendimi i tyre lidhet me shqetësimet që kanë lindur pas shembjes së një pjese të strukturës së lokalit gjatë aksioneve për lirimin e hapësirave publike rreth një vit më parë.

Në deklaratë rikujtohet se projekti i Cliché ishte realizuar sipas tyre në përputhje me rregullat ligjore dhe ishte vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare të arkitekturës. Sipas biznesit, shembja e strukturës nuk dëmtoi vetëm një investim privat, por edhe besimin se puna e ndershme dhe respektimi i ligjit mbrohen nga institucionet.

Përfaqësuesit e “Cliché” shprehen se shteti ka të drejtë të vendosë rregulla, por duhet gjithashtu të dëgjojë qytetarët dhe të dallojë mes investimeve të ligjshme dhe ndërtimeve të paligjshme. Ata argumentojnë se mungesa e dialogut dhe vendimmarrjet e njëanshme cenojnë besimin e qytetarëve tek institucionet.

“Po i mbyllim dyert sepse nuk duam të sillemi sikur asgjë nuk ka ndodhur”, thuhet në reagim, ku kjo nismë cilësohet si një “protestë e heshtur” në mbështetje të kërkesave qytetare që po artikulohen përmes lëvizjes “Revolucioni Flamingo”.

Pezullimi i aktivitetit për një orë çdo ditë do të vijojë si një akt simbolik reflektimi dhe solidariteti, ndërsa biznesi deklaron se synon të mbrojë vlerat e dialogut, ligjshmërisë dhe respektit për investimin e ndershëm.

Reagimi i plotë në Facebook

Ka momente kur heshtja bëhet bashkëfajtore.

Për këtë arsye, Cliché do të pezullojë aktivitetin e tij çdo ditë nga ora 18:00 deri në 19:00, si një gjest simbolik solidariteti me çdo qytetar që kërkon më shumë drejtësi, më shumë përgjegjësi dhe më shumë respekt nga pushteti.

Ne nuk jemi parti politike. Jemi një biznes i ndërtuar me punë, sakrificë dhe besim tek ky qytet.

Vitin e kaluar pamë të shkatërrohej një projekt që nuk ishte simbol i kaosit urban, por i asaj që mund të bëhej Shqipëria kur ligji, estetika, inovacioni dhe respekti për hapësirën publike ecin bashkë. Një projekt i realizuar sipas rregullave, i vlerësuar me Çmimin e Parë në një festival ndërkombëtar arkitekture, u rrëzua pa dallim, në të njëjtin rresht me uzurpimet, paligjshmëritë dhe abuzimet që për vite kishin zaptuar hapësirat publike.

Atë ditë nuk u shemb vetëm një strukturë.

U shemb besimi se respektimi i ligjit mjafton.

U shemb bindja se puna e ndershme mbrohet.

U shemb ideja se shteti di të dallojë mes atij që ndërton me leje dhe atij që ndërton pa të.

Ne e dimë se një qeveri ka të drejtë të vendosë rregulla. Por po aq e vërtetë është se një shtet demokratik ka detyrimin të dëgjojë, të arsyetojë dhe të trajtojë me dinjitet ata që investojnë, krijojnë vende pune dhe kontribuojnë në jetën e qytetit.

Kur vendimet merren nga lart dhe zbatohen verbërisht poshtë, kur nuk ka dialog, kur nuk ka dallim mes së drejtës dhe së padrejtës, mes ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, atëherë dëmtohet diçka shumë më e madhe se një biznes: dëmtohet besimi qytetar.

Ne nuk po mbyllim dyert për një orë sepse besojmë se kjo do të ndryshojë botën.

Po i mbyllim sepse nuk duam të sillemi sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Po i mbyllim sepse besojmë se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari.

Po i mbyllim sepse besojmë se investimi, puna dhe iniciativa e ndershme meritojnë respekt.

Po i mbyllim sepse duam një Shqipëri ku ligji të mos jetë armë e të fortit, por garanci për të gjithë.

Kjo është protesta jonë e heshtur.

Një orë reflektim.

Një orë dinjitet.

Një orë në kujtim të asaj që humbëm, por edhe në mbrojtje të asaj që ende besojmë se mund të ndërtojmë.