Disa raste të dyshuara helmimi të kafshëve janë raportuar gjatë ditëve të fundit në fshatin Stajkë të Bashkisë Vau Dejës, duke ngritur shqetësim te banorët dhe aktivistët për mbrojtjen e kafshëve.

Sipas organizatës “Animals Need Me”, një qen ka ngordhur në rrethana të dyshimta, ndërsa një qen tjetër ka shfaqur shenja të rënda helmimi dhe nuk ka mundur të mbijetojë. Po ashtu, është raportuar edhe helmimi i një maceje.

Dyshimet janë shtuar edhe nga informacionet për copa mishi të shpërndara në zona të ndryshme të fshatit, të cilat mund të jenë përdorur për helmimin e kafshëve. Megjithatë, organizata thekson se informacionet janë ende në proces verifikimi dhe se aktualisht nuk ka prova përfundimtare që konfirmojnë rastet.

Përmes një thirrjeje publike, banorëve u kërkohet të mbajnë kafshët nën mbikëqyrje, të mos lejojnë konsumimin e ushqimeve të gjetura në ambiente të hapura dhe të raportojnë çdo rast apo informacion që mund të ndihmojë në sqarimin e situatës.

Aktivistët kujtojnë se helmimi i qëllimshëm i kafshëve mund të përbëjë vepër penale dhe se përdorimi i helmeve në ambiente të hapura rrezikon jo vetëm kafshët shtëpiake, por edhe bagëtitë, faunën e egër dhe sigurinë publike.

Reagimi i plotë i “Animals Need Me”

🚨 ALARM PËR HELMIM TË DYSHUAR TË KAFSHËVE NË FSHATIN STAJKË, VAU I DEJËS 🚨

Gjatë ditëve të fundit janë raportuar disa raste të dyshuara helmimi të qenve dhe maceve në fshatin Stajkë, Vau i Dejës.

Sipas informacioneve të marra:
🐕 Një qen ka ngordhur në rrethana të dyshimta.
🐕 Një qen tjetër ka shfaqur shenja të rënda helmimi dhe fatkeqësisht nuk ka mbijetuar.
🐈 Është raportuar edhe helmimi i një maceje.
🥩 Gjithashtu flitet për copa mishi të shpërndara në zona të ndryshme, të cilat dyshohet se mund të jenë përdorur për helmimin e kafshëve.

⚠️ Këto informacione janë ende duke u verifikuar dhe aktualisht nuk disponojmë prova përfundimtare. Megjithatë, numri i rasteve është mjaft shqetësues për të kërkuar vigjilencë të shtuar.

❗ U bëjmë thirrje banorëve:
• Të mbajnë kafshët nën mbikëqyrje.
• Të mos lejojnë qentë dhe macet të konsumojnë ushqim të gjetur në ambient të hapur.
• Të raportojnë çdo rast të dyshimtë, foto, video ose informacion që mund të ndihmojë në sqarimin e situatës.
• Të njoftojnë menjëherë veterinerin nëse kafsha shfaq shenja helmimi.

⚖️ Kujtojmë se helmimi i qëllimshëm i kafshëve është një akt i papranueshëm dhe mund të përbëjë vepër penale. Përveç vuajtjeve që u shkakton kafshëve, përdorimi i helmeve në ambiente të hapura rrezikon edhe bagëtitë, faunën e egër dhe sigurinë publike.

📩 Nëse keni informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, ju lutemi na kontaktoni në mesazh privat.