Një grup të rinjsh nga Shkodra dhe diaspora shqiptare u bënë pjesë e një aktiviteti të veçantë rinor të organizuar nga ACT4Shkodra në bashkëpunim me organizatën GERMIN, duke përshkuar me biçikleta itinerarin nga qendra e qytetit drejt zonës turistike të Shirokës.

Aktiviteti synoi të promovojë Shkodrën si një destinacion miqësor për biçikletat, por njëkohësisht të forcojë lidhjet mes të rinjve të diasporës dhe vendlindjes së tyre. Pjesëmarrësit patën mundësinë të eksplorojnë nga afër natyrën, historinë dhe kulturën e qytetit, ndërsa përjetuan një nga simbolet më karakteristike të Shkodrës – biçikletën, e cila prej dekadash mbetet pjesë e identitetit dhe traditës qytetare.

Të rinj të ardhur nga vende të ndryshme të botës vlerësuan mikpritjen, peizazhin dhe mënyrën e veçantë të jetesës në Shkodër, duke e konsideruar këtë përvojë si një mundësi të mirë për t’u njohur më nga afër me qytetin dhe rrënjët e tyre familjare.

Përfaqësues të KVR Shkodër theksuan rëndësinë e aktiviteteve të tilla në krijimin e urave të komunikimit mes të rinjve vendas dhe atyre që jetojnë jashtë vendit, duke nxitur shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e vlerave lokale.

Organizatorët e cilësuan këtë nismë si një mënyrë konkrete për të afruar brezat e rinj të diasporës me vendlindjen, ndërsa përmes turizmit të qëndrueshëm dhe aktiviteteve rinore synohet promovimi i Shkodrës si një qytet i hapur, aktiv dhe i lidhur ngushtë me komunitetin e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Pedalimi drejt Shirokës u shndërrua jo vetëm në një aktivitet sportiv dhe argëtues, por edhe në një udhëtim simbolik që afroi të rinjtë e diasporës me historinë, kulturën dhe traditat e qytetit të Shkodrës.